Tiranë, më 14.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.802, datë 23.9.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Flora Çela, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, deklaroi se edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e ankimit, duke mos përmbushur kriteret kushtetuese për të arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Z. Dumani, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Flora Çela.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare,subjekti i rivlerësimit, znj. Flora Çela u shpreh se masa e shkarkimit nga detyra mund të kërkohej vetëm nëse do të provohej që mangësitë gjatë ushtrimit të funksionit do të ishin sistematike, tepër të rënda, të pakorrigjueshme nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që deklaroi se në çdo rast ka ushtruar detyrën sipas kompetencave ligjore dhe bindjes së brendshme. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi mospranimin e ankimit si të pabazuar në prova e ligj dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 802, datë 23.09.2024.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23.07.2025, ora 15:30.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.