Tiranë, më 21.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 21.7.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 660, datë 16.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Majlinda Andrea, me detyrë ish-gjyqtare në Gjykatën e Lartë.
Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të marrë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar më datë 14.7.2025, kryesuesja relatoi se në Kolegj ka mbërritur përgjigjja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj), në të cilën konfirmohet mosnxjerrja e një akti për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea, përgjigje e cila u është përcjellë palëve.
I pyetur për një qëndrim lidhur me këtë përgjigje, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se do të shprehet në konkluzionet përfundimtare.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës përgjigjen e KLGj-së dhe mbylli hetimin gjyqësor të çështjes.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, z. Braho deklaroi se Këshilli i Lartë Gjyqësor është shprehur në përgjigjen e tij se nuk ka një vendim për përfundimin e statusit të magjistratit për znj. Majlinda Andrea, çka do të thotë që institucionet e juridiksionit të zakonshëm disiplinor kushtetues nuk kanë ushtruar kompetencat e kryerjes së hetimit dhe procedimit disiplinor me qëllim shkarkimin e subjektit të rivlerësimit dhe humbjen e statusit të magjistratit. Z. Braho konstatoi se këto institucione janë në kushtet e mosveprimit dhe i kërkoi përfundimisht Kolegjit të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 660, datë 16.5.2023; të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit për znj. Majlinda Andrea pa një vendim përfundimtar, për shkak të humbjes së statusit të magjistratit.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 23.7.2025, ora 15:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.