Tiranë, më 23.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në në seancën gjyqësore të datës 23.7.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 607, datë 22.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kledian Llaho, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Subjekti i rivlerësimit Kledian Llaho paraqiti parashtrimet e tij lidhur me ankimin e Komisionerit Publik duke mbajtur qëndrim lidhur me shkaqet e ankimit për të tria kriteret e vlerësimit. Subjekti i rivlerësimit pretendoi se ato nuk bazohen në prova dhe në ligj, por vetëm në dyshime dhe perceptime të gabuara. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës, disa akte në mbështetje të pretendimeve të tij që iu bashkëlidhën parashtrimeve. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për të administruar vendimin gjyqësor të një çështjeje penale që është pjesë e ankimit. Sa i përket shkaqeve të ankimit për kriterin e kontrollit të figurës, z. Llaho deklaroi se nëse do t’u jepet peshë informacioneve të organeve ligjzbatuese, ato duhet të ballafaqohen dhe të mos nxirren bazuar në dyshime apo informacione të pakonfirmuara dhe të paplota.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme mbajtën qëndrim lidhur me disa denoncime të publikut, duke i kërkuar trupit gjykues që të mos i hetojë ato.
Trupi gjykues, në vijim vendosi:
- Të çelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, të cituara sipas procesverbalit të seancës gjyqësore.
– Të pranojë kërkesën e palëve për të administruar vendimin gjyqësor të çështjes penale që kanë referuar, vendim i cili, pasi të administrohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, do t’u përcillet palëve.
– Të mos hetojë lidhur me denoncimet, bazuar në nenin 53 të ligjit nr. 84/2016, e në konsideratë edhe të qëndrimit të mbajtur lidhur me to nga përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
– Të njihet në mënyrë të drejtpërdrejtë me informacionin e klasifikuar, të njohur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të çështjes, pranë institucioneve ligjzbatuese që e administrojnë atë.
Në kuadër të kësaj vendimmarrjeje trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore në datën 30.7.2025, në orën 11:00, duke i ftuar palët të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.