Tiranë, më 24.9.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion Drejtues i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Prokurorinë e Posaçme, për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 24.9.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.736, datë 31.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Gentian Habazaj, me detyrë prokuror, aktualisht me detyrë këshilltar ligjor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se analiza financiare e kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk mbështetet në aktet e përfshira në dosje dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë bindshëm burimet e ligjshme të pasurisë në përdorim dhe mbulimin e investimeve të kryera. Por bazuar në provat e administruara në seancë do të vlerësohet mbi momentin e krijimit të pasurive, para se të bëhej subjekt i deklarimit të pasurive. Sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, z. Xholi deklaroi se arsyetimi i subjektit të rivlerësimit për veprimet hetimore të ndërmarra është  në kushtet e mungesës së një argumentimi logjik dhe ligjor.

Në përfundim, Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i kërkoi Kolegjit të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 736, datë 31.01.2024 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gentian Habazaj.

Gjatë paraqitjes së prapësimeve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se shkaqet e ankimit nuk qëndrojnë, ato bien ndesh me provat në dosje dhe se konkluzionet e nxjerra u janë referuar në mënyrë të pjesshme fakteve dhe dokumentacionit në dispozicion. Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime të detajuara për secilin shkak ankimi, të lidhur meme kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë profesional dhe deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i drejtë, i bazuar në hetim të thelluar dhe duhet të lihet në fuqi. Bashkëlidhur parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

Në vijim, relatorja e çështjes i drejtoi disa pyetjeve palëve në funksion të shqyrtimit të çështjes. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se do t’u japë përgjigje në konkluzionet përfundimtare, ndërsa subjekti i rivlerësimit dha shpjegime rreth tyre.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimti gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Për t’u lënë kohë palëve për përgatitjen e tyre, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 14.10.2025, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF