Tiranë, më 5.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 5.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.702, datë 27.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z.Agron Bushati, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se janë konstatuar shkelje, sjellje e veprime që bien ndesh me standardet e etikës së magjistratit, të tilla që kualifikohen në ato që cenojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme deklaroi se gjatë procesit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë prova dhe argumenta shtesë në kundërshtim të ankimit, por referuar gjendjes aktuale të akteve, z. Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Agron Bushati.

Në prapësim të ankimit, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara në argumenta ligjorë, se bëhet fjalë për sjellje të paqëllimshme pa pasoja reale të subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, pa peshë konkrete, për mangësi formale të adresuara me masë disiplinore nga organet përkatëse, por që nuk janë shndërruar në model sjelljeje të përsëritur. Përfaqësuesja ligjore deklaroi se problematikat e vërejtura nuk arrijnë pragun e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe nuk plotësojnë kriteret që do të mund të çonin në aplikimin e masës ekstreme disiplinore, atë të shkarkimit nga detyra. Në mbështetje të pretendimeve të tij, bashkëlidhur parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të relatores së trupit gjykues, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me denoncimet, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, deklaroi se nuk përmbajnë shkaqe të mjaftueshme për hetime të mëtejshme. Të njëjtin qëndrim me përfaqësuesin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me denoncimet, ndau edhe përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit.

Pasi u konsultua trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe të mos çelë hetimin gjyqësor për denoncimin e individit me inicialet *.** nën dritën e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016, edhe për shkak të akteve të sjella nga subjekti i rivlerësimit në përgjigje të këtij denoncimi.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes. Për t’u lënë atyre kohë të arsyeshme në dispozicion për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, u vendos shtyrja e seancës gjyqësore për në datën 13.11.2025, ora 9:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF