Tiranë, më 13.11.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të datës 13.11.2025, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr.702, datë 27.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Agron Bushati, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodjan Braho deklaroi se shkeljet e konstatuara të subjektit të rivlerësimit janë të tilla që kualifikohen në ato që cenojnë besimin e publikut tek Sistemi i Drejtësisë, sipas nenit 61, pika 5, të ligjit 84/2016. Përfundimisht, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 702, datë 27.09.2023.

Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit deklaroi se kërkimi i masës ekstreme të shkarkimit nga përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, bazuar në pikën 5, të nenit 61, “Cenim i besimit të publikut tek Sistemi i Drejtësisë”, bie ndesh me parashikimet ligjore që përcakton Aneksi i Kushtetutës, ligji i posaçëm, por edhe praktika e Kolegjit. Pasi dëgjoi qëndrimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 25.11.2025, ora 10:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF