12.11.2018

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi i paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu trupën gjykuese me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik nuk ka kryer një hetim të plotë, për të vendosur se subjekti i rivlerësimit ka krijuar një nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Komisioneri Publik theksoi nevojën për një hetim të mëtejshëm dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeljen e hetimit gjyqësor për marrjen e provave të reja. Në parashtrimet e tij, Komisioneri Publik renditi, për secilin shkak të ankimit, listën e provave që do të duhet të administrohen nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ndërkohë, në parashtrimet e tij, subjekti i rivlerësimit, z. Edmond Islamaj, pretendoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte marrë në përfundim të një hetimi të plotë e të gjithanshëm. Gjatë parashtrimeve të tij, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa prova të reja, të cilat nuk ishin administruar më parë gjatë hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilat sipas tij mbështesin vendimin për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi të shtyjë seancën gjyqësore, më datë 16.11.2018, për t’i dhënë mundësinë Komisionerit Publik për t’u njohur me provat e reja, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij  institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.  PDF