31.1.2019
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, me detyrë Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Komisioneri Publik konstaton se procesi i hetimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë dhe, për rrjedhojë, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, sipas nenit 59, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016.
Mbështetur në parashikimin e nenit F, pika 3 dhe 7 e aneksit të Kushtetutës, nenit 66 të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pas hetimit të plotë të kriterit të kontrollit të pasurisë, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 86, datë 17.12.2018 ose
– Ndryshimin e vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Kolgjoka.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të institucionit: www.ikp.al.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.