7.3.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi kundër vendimit nr. 47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Faqolli, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu Trupën Gjykuese me shkaqet e ankimit të vendimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik është dhënë në interpretim të gabuar të ligjit dhe të provave të administruara gjatë hetimit administrativ.
Avokati i subjektit të rivlerësimit, z. Astrit Faqolli, në seancë gjyqësore kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor dhe dhënien kohë për depozitimin e provave të reja, të cilat nuk ishin administruar më parë gjatë hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe që, sipas tij, mbështesin vendimin e konfirmimit në detyrë.
Trupa Gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas konsultimit, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 20.3.2019, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të sigurojë provat e reja të pretenduara prej tij.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.