5.6.2019                                              

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit paraqiti akte të reja shkresore, të cilat me  kërkesë të saj, u depozituan si prova me vendim të ndërmjetëm të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Subjekti i rivlerësimit përmes një tjetër kërkese proceduriale kërkoi nga trupi gjykues, që në referencë të nenit 32, pika 2 e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të shprehet me vendim të ndërmjetëm lidhur me pamundësinë objektive, sipas saj, për të disponuar dokumente që justifikojnë ligjshmërinë e krijimit të pasurive.

Trupi gjykues pas konsultës vendosi të shtyjë seancën më datë 17.6.2019, ora 14.30, për t’u shprehur në lidhje me këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF