26.6.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrat/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues, përmes relatores së çështjes, drejtoi një grup pyetjesh për subjektin e rivlerësimit, lidhur me deklaratat e pasurisë dhe provat e administruara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Subjekti i rivlerësimit, pasi u njoh me pyetjet, kërkoi kohë për të përgatitur parashtrimet rreth tyre, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.
Seanca e radhës u caktua më datë 3.7.2019, ora 10.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.