17.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin lidhur me projekt- metodologjinë të hartuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në referencë të ankimit të tij. Komisioneri Publik konstatoi se nga pikëpamja strukturore, projekt-metodologjia është e plotë. Ndërkohë, referuar burimit të vlerësimit, Komisioneri Publik konstatoi se në aktet e dosjeve të administruara mungojnë disa prej tyre, referuar nenit 42 të ligjit nr. 84/2016 dhe nenit 77 të ligjit nr. 96/2016. Për këtë arsye, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues të administrojë në cilësinë e provës burimet e vlerësimit, si më poshtë:

  • Dosja personale e magjistratit, z. Gentian Medja;
  • Mendimi i Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë për magjistratin, z. Gentian Medja;
  • Informacion me shkrim nga Shkolla e Magjistraturës për magjistratin, z. Gentian Medja.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të tij, kundërshtoi projekt-metodologjinë, me pretendimin se hartimi dhe zbatimi i kësaj metodologjie del jashtë kompetencave të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe bie ndesh me opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese.

Trupi gjykues, i konsultuar pas parashtrimeve të palëve, vendosi të çelë hetimin gjyqësor bazuar në kërkesën e Komisionerit Publik, lidhur me burimet e rivlerësimit të aftësive profesionale.

Në pritje të dokumentacionit, që do t’u kërkohet institucioneve respektive, KLGJ-së dhe Shkollës së Magjistraturës, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 26.7.2019, ora 13.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF