22.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrate/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit parashtruan pretendimet përfundimtare pas mbylljes së hetimit gjyqësor.

Komisioneri Publik parashtroi se shqyrtimi gjyqësor, bazuar në shkaqet e ankimit, evidentoi mangësitë e konstatuara, në disa elemente të kontrollit të kriterit të pasurisë, gjatë hetimit të çështjes nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Komisioneri Publik vlerësoi se hetimi i kryer nga trupi gjykues provoi nevojën se, për raste të ngjashme, kur rrethanat faktike dhe juridike e lejojnë, kërkimi i ankimit të Komisionerit Publik të jetë alternativ kundrejt juridiksionit kontrollues të Kolegjit, pasi, sikundër u dëshmua konkretisht, të gjitha shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, në referencë të nenit 52, të ligjit nr. 84/2016, gjetën përgjigje nga rreth 70 prova të reja, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.

Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, me një tjetër arsyetim, ku të argumentohet për të gjitha shkaqet e ankimit dhe provat e paraqitura për këtë qëllim, nga subjekti i rivlerësimit.

Ndërkohë, subjekti i rivlerësimit, në pretendimet përfundimtare, parashtroi se provat e paraqitura prej saj në Kolegj plotësuan nevojën e hetimit të shkaqeve të ankimit, të ngritura nga Komisioneri Publik, dhe mundësuan hetimin e thelluar të kërkuar prej tij.

Pas parashtrimeve të pretendimeve përfundimtare, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi palët se vendimi përfundimtar do të shpallet në seancën e datës 26 korrik, ora 9.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF