11.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Komisioneri Publik parashtroi vlerën provuese vetëm mbi ato akte, të cilat sipas tij paraqesin rrethana faktike dhe jo mbi pjesën tjetër të akteve që janë në kushtet e interpretimeve ligjore, dhe për të cilat Komisioneri Publik kërkoi të mos merren parasysh nga trupi gjykues i Kolegjit.

Komisioneri Publik iu qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe vlerësoi se provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit dhe ato të pretenduara gjatë seancës së sotme nuk ndikojnë në arritjen e një përfundimi të ndryshëm, nga analiza financiare paraprake e paraqitur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik dhe kërkoi kohë për të siguruar dokumentacion provues shtesë.

Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të pranojë vetëm një nga provat që kërkoi të administrojë subjekti i rivlerësimit dhe njoftoi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.

Seanca për konkluzionet përfundimtare do të zhvillohet më datë 16.10.2019, ora 09:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF