7.11.2019                      

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues u njoh me qëndrimet e palëve mbi vlerën provuese të akteve të reja të administruara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, vlerësoi se provat e pranuara, referuar objektit të tyre dhe faktit që kërkon të provojë subjekti i rivlerësimit, nuk kanë asnjë vlerë përcaktuese për të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësimet e tij, kërkoi nga trupi gjykues kohë për depozitimin e akteve në gjuhën turke dhe parashtroi pretendimet lidhur me metodologjinë e përllogaritjes së shpenzimeve për jetesë.

Trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe, me vendim të ndërmjetëm, rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për zgjatjen e afateve kohore për depozitimin e akteve të reja, si një kërkesë që çon në zvarritjen e procesit gjyqësor.

Seanca për parashtrimet e konkluzioneve përfundimtare do të zhvillohet më datë 12.11.2019, ora 12.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF