19.6.2020 

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, gjyqtare/Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Kryesuesi i trupit gjykues, në nisje të seancës, njoftoi për depozitimin në Kolegj të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet, në funksion të hetimit gjyqësor dhe ftoi palët të shprehin qëndrimet e tyre rreth akteve të reja.

Komisioneri Publik, në parashtrim të qëndrimit për dokumentet e kërkuara, vlerësoi se ato shteronin hetimin e çelur nga Kolegji, pasi në gjendjen e akteve para shqyrtimit gjyqësor nuk arrihej të konkludohej nëse subjekti i rivlerësimit kishte arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, referuar nenit 59, pika 1, gërma “a”, të ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit, krahas qëndrimit rreth përgjigjeve të institucioneve, i paraqiti trupit gjykues prova të reja, që sipas saj provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi administrimin e provave të reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe u kërkoi palëve të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik, në parashtrim të konkluzioneve, u shpreh se për subjektin e rivlerësimit gjen zbatim neni 59/1 i ligjit nr. 84/2016 dhe, për këtë arsye, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 86, datë 17.12.2018 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Alma Kolgjoka.

Trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për shpalljen e vendimit më datë 25.6.2020, ora 9:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF