11.9.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, në atë kohë drejtuese e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Gjatë verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e paraqitjes së subjektit të rivlerësimit. E pranishme në seancë ishte një avokate, e caktuar me deklarim gjyqësor nga subjekti i rivlerësimit, e cila njoftoi se për shkaqe shëndetësore, subjekti i rivlerësimit nuk e kishte të mundur paraqitjen në seancë dhe kërkoi vazhdimin e gjykimit.

Trupi gjykues, në vijim të seancës, pas tërheqjes për vendim në lidhje me tagret e përfaqësimit të avokates, bazuar në deklarimin gjyqësor të subjektit të rivlerësimit, njoftoi palët se, gjatë kohës kur trupi gjykues ishte në dhomë këshillimi, kishte mbërritur një komunikim elektronik nga adresa zyrtare e subjektit të rivlerësimit, ku konfirmohej vullneti për t’u përfaqësuar në mungesë nga avokatja e caktuar prej saj.

Pasi palët pjesëmarrëse në gjykim kërkuan vazhdimin e gjykimit, trupi gjykues, në përmbushje të detyrave të lëna në seancën paraardhëse, i dha fjalën avokates së subjektit të rivlerësimit për të paraqitur prapësimet mbi parashtrimet e Komisionerit Publik, në seancën e datës 3.9.2020.

Pas prezantimit të prapësimeve nga avokatja e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u kërkoi palëve nëse kishin akte të tjera për të paraqitur në funksion të hetimit të çështjes. Pasi palët pjesëmarrëse në gjykim konfirmuan se nuk kishin prova të tjera për të paraqitur, trupi gjykues kërkoi informacion në rast se ishin të gatshme të paraqisnin bisedimet përfundimtare për çështjen.

Komisioneri Publik u shpreh i gatshëm të parashtronte bisedimet e tij përfundimtare, në zbatim të detyrës së lënë nga trupi gjykues në seancën e mëparshme. Avokatja e subjektit të rivlerësimit kërkoi kohë të paraqesë bisedimet përfundimtare, duke pretenduar që t’i paraqesë ato pasi të dëgjoheshin bisedimet përfundimtare të Komisionerit Publik.

Pasi u tërhoq për vendim, trupi gjykues vendosi t’i japë fund hetimit gjyqësor dhe t’i ftojë të dyja palët pjesëmarrëse për bisedime përfundimtare, duke e shtyrë seancën për në datën 18.9.2020, ora 9.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF