14.9.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Peka, prokuror, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në çelje të seancës, kryesuesja njoftoi për zëvendësimin e anëtarit të trupit gjykues, z. Luan Daci dhe, referuar vendimit të ndërmjetëm në seancën e datës 22.7.2020, kërkoi qëndrimet e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit lidhur me provueshmërinë e provave të depozituara dhe pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku.

Komisioneri Publik, në analizë të akteve të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit, vlerësoi se shkresa e Entit Kombëtar të Banesave dëshmon se bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit e ka përfituar kredinë me kushte lehtësuese konform kërkesave të VKM-së, nr. 600/2007. Për praktikën e Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me hetimin disiplinor të subjektit të rivlerësimit për çështjet e transferuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioneri Publik vlerësoi se nuk ka informacion të mjaftueshëm. Edhe për aktin: “Analizë e pasurisë dhe e të ardhurave të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Peka, 2003 – 2016”, Komisioneri Publik u shpreh i rezervuar në disa nga zërat e saj, duke i qëndruar shkakut të ankimit për pamjaftueshmëri financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2003 – 2016.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, parashtroi prapësimet lidhur me pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku për emërime nepotike dhe kontakte të papërshtatshme, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe dashakeqe.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi administrimin në cilësinë e provës të 10 akteve të reja të parashtruara nga subjekti i rivlerësimit dhe pranoi kërkesën e Komisionerit Publik, të parashtruar në seancën e datës 22.7.2020, për të kryer analizën financiare lidhur me mjaftueshmërinë financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2003 – 2016.

Seanca e ardhshme do të zhvillohet më datë 2.10.2020, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF