3.12.2020
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 316, datë 17.11.2020, vlerëson se përfundimi i arritur nga Komisioni për deklarimin të përfunduar të procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti i rivlerësimit ka humbur statusin e magjistratit, është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore në fuqi, ndaj dhe ka shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’ia paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e pikës 1 të dispozitivit të vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe orientimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme mbi nevojën për saktësimin e bazës ligjore, arsyetimin ndryshe të vendimit dhe, sipas vlerësimit të Kolegjit, saktësimin e dispozitivit në pikën 1 të tij.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.