15.7.2021

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në vlerësim edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me Rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF