21.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 316, datë 17.11.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ibrahim Hoxha, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mosprezencën e subjektit të rivlerësimit apo të ndonjë përfaqësuesi ligjor të tij, duke bërë me dije, njëkohësisht, të gjitha momentet procedurale të ndërmarra nga Kolegji për njoftimin e subjektit të rivlerësimit lidhur me gjykimin e çështjes së tij.

Pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, trupi gjykues, në kushtet kur subjekti i rivlerësimit nuk kishte komunikuar me Kolegjin përmes postës së tij elektronike dhe nuk u paraqit në seancën e sotme gjyqësore, vendosi t’i kërkojë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deklaratën e pasurisë, sipas shtojcës 2 të ligjit nr. 84/2016, për të saktësuar adresën elektronike të deklaruar nga vetë subjekti i rivlerësimit, për qëllimin e këtij procesi dhe për të kryer veprimet procedurale të radhës, nëpërmjet kësaj adrese elektronike.

Për këtë arsye, seanca gjyqësore u shty në datën 13.9.2021, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF