16.11.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Sokol Ngresi, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, për transparencë ndaj publikut, kërkoi nëse kryesuesja dhe relatorja e çështjes ishin njohur me dy aktet e depozituara sot në Institucionin e Komisionerëve Publikë, nga shtetasi F. K., dhe të përcjella po sot pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku vihen në dijeni për një kallëzim, që ky shtetas ka bërë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj dy ekspertëve kriminalistë të Institutit të Drejtorisë së Policisë Shkencore dhe subjektit të rivlerësimit.

Kryesuesja e seancës konfirmoi se ajo vetë dhe relatorja e çështjes ishin vënë në dijeni përmes postës elektronike nga Institucioni i Komisionerëve Publikë dhe se në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte protokolluar e njëjta praktikë, e dorëzuar nga shtetasi i lartpërmendur.

Në vijim, kryesuesja e seancës pyeti Komisionerin Publik nëse kishte kërkesë paraprake lidhur me parashtrimin e mësipërm.

Komisioneri Publik nënvizoi faktin se hetimi lidhur me një pasuri të pretenduar të padeklaruar nga subjekti i rivlerësimit, nuk ka qenë pjesë e kërkimit të ankimit dhe e la në çmimin e gjykatës vendimmarrjen, sa kohë hetimi është kryer ex-officio nga trupi gjykues.

Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të vijojë me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, duke theksuar se praktika e administruar nuk ndikon në procesin  që po zhvillohet në Kolegj.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe, në analizë të provave të administruara nga Kolegji, gjatë gjykimit të çështjes, si dhe parashtrimeve të vetë subjektit të rivlerësimit, vlerësoi se pretendimet e tij mbeten të paprovuara. Në përfundim, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji ndryshimin e vendimit nr. 324, datë 11.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Sokol Ngresi.

Subjekti i rivlerësimit, pretendoi se ankimi është depozituar jashtë afateve ligjore dhe kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik. Në përfundim, ai kërkoi nga trupi gjykues prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur mospranimin e ankimit, ose në alternativë, lënien në fuqi të tij.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, njoftoi se aktet e administruara në funksion të ekspertimit do t’u rikthehen institucioneve dhe se trupi gjykues do të tërhiqet në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.11.2021, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF