27.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 392, datë 28.5.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Natasha Prifti (Shallapi), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe kontradiktor lidhur me likuiditetet cash, duke pamundësuar kështu dhe verifikimin e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive të rrjedhura prej tyre. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik theksoi se, për rastin objekt gjykimi, mbështetur në Rekomandimin e ONM-së,  jurisprudencën e Kolegjit, ndan qëndrim të ndryshëm nga Komisioni lidhur me arsyetimin dhe gjetjen zbatim të parimit të “proporcionalitetit”, në raport me ligjshmërinë e burimit të krijimit të likuiditeteve cash dhe pasurive të rrjedhura prej tyre, dhe i kërkoi trupit gjykues shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi).

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e kërkimeve përfundimtare të Komisionerit Publik, duke u shprehur se nuk gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe kontradiktor, dhe se vendimi i konfirmimit të saj në detyrë është i drejtë dhe i bazuar në fakte dhe prova.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, e deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 4.7.2022, ora 9:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF