9.7. 2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues u vuri në dispozicion palëve në proces draftmetodologjinë, e hartuar sipas kritereve vlerësuese të përcaktuara në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Seanca e radhës u caktua më datë 17.7.2019, ora 10.00, për t’u dhënë kohë palëve në proces të parashtrojnë opinionet e tyre rreth draftdokumentit.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.