10.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij për aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, në seancën e datës 25.6.2019, pasi analizoi secilën prej tyre, i parashtroi trupit gjykues faktin se këto akte nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të shqyrtojë dhe të vendosë për të gjitha shkaqet e ankimit.

Gjatë prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi depozitimin edhe të 10 dokumenteve të tjera, të konsideruara prej tij si fakte të reja. Për këto akte të paraqitura rishtazi në seancën e sotme nga subjekti i rivlerësimit, Komisioneri Publik konstatoi se një pjesë e madhe prej tyre janë tashmë pjesë e dosjes gjyqësore dhe në përmbajtje nuk provojnë ndonjë fakt apo rrethanë të re ligjore.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, administroi në cilësinë e provës të gjithë dokumentacionin e depozituar nga subjekti i rivlerësimit dhe njoftoi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues vendosi që seanca për paraqitjen nga palët të konkluzioneve përfundimtare të zhvillohet më datë 17.7.2019, ora 14.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF