17.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, magjistrat/ Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik, gjatë parashtrimeve të konkluzioneve përfundimtare, u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit. Lidhur me interpretimin e nenit D të aneksit të Kushtetutës, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues t’i referohet jurisprudencës së krijuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë vendimmarrjes për çështje të lidhura me pasuritë e subjekteve të rivlerësimit. Komisioneri Publik, në përfundim të parashtrimeve të tij, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori gjatë prapësimeve, kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, me pretendimin se pasuritë e tij janë krijuar me burime të ligjshme dhe se nuk ka kryer evazion fiskal.

Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi, për shpalljen e vendimit në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 26.7.2019, ora 11.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF