19.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrat/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit parashtruan opinionet e tyre rreth tri varianteve të dokument-analizës financiare, të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Komisioneri Publik i konsideroi të mjaftueshme për kërkimet e ankimit, rezultatet e varianteve I dhe II të dokument-analizës financiare.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve, u shpreh dakord me elementet e dokument-analizës financiare dhe në funksion të saj depozitoi dy akte të reja, duke kërkuar njëkohësisht rillogaritje të disa zërave në shpenzimet e konsumit familjar.

Kryesuesi i seancës, pas konsultimit të trupit gjykues, sqaroi palët në proces, në lidhje me pretendimet e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit. Pas administrimit të akteve të reja, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në seancën e konkluzioneve përfundimtare, që do të zhvillohet më datë 22.7.2019, ora 8.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF