19.7.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Në nisje të seancës, Komisioneri Publik i parashtroi trupit gjykues kërkesën për rivendosjen në afat të ankimit, lidhur me një shkak të ri, për të cilin nuk ka qenë në dijeni. Gjetja i referohet dokument-analizës financiare, vënë në dispozicion ONM-së nga relatori i çështjes, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, dhe dokumentit të arkivit digjital të ONM-së, që paraqet një version tjetër të analizës financiare, të përdorur nga Komisioni në funksion të vlerësimit të kriterit të pasurisë.
Subjekti i rivlerësimit nga ana e tij kundërshtoi kërkesën e Komisionerit Publik për rivendosje të afatit të ankimit dhe parashtroi prapësimet e tij.
Trupi gjykues pas konsultimit, në referencë të nenit 67, të ligjit nr. 84/2016, vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për rivendosjen në afat të ankimit dhe, pasi u njoh me parashtrimet e tij, lidhur me shkaqet e ankimit, i drejtoi Komisionerit Publik pyetje për kufijtë e ankimit.
Komisioneri Publik rikonfirmoi kërkesën drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të ushtruar juridiksionin e tij kontrollues dhe rivlerësues mbi faktet e reja të paraqitura, në kushtet e një vlerësimi të plotë dhe të gjithanshëm për kriterin e pasurisë, të shtrirë në të gjitha pasuritë e subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj.
Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi të zhvillojë seancën e radhës më datë 6.9.2019, ora 10.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF