24.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit parashtruan opinionet rreth analizës financiare, të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, si dhe paraqitën konkluzionet përfundimtare, në mbyllje të hetimit gjyqësor.

Komisioneri Publik, në konkluzionet përfundimtare, parashtroi se edhe nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe në pamjaftueshmëri të burimeve të krijimit të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentjan Osmani.

Subjekti i rivlerësimit, përmes avokatit të tij, u qëndroi prapësimeve të ankimit edhe në konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues u tërhoq në dhomë këshillimi dhe njoftoi se vendimi përfundimtar do të shpallet në seancën e datës 31.7.2019, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet përfundimtare janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF