25.7.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Valbona Bala (Pajo), ish-këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të subjektit të rivlerësimit, të bashkuara në një gjykim, deklaroi se gjen të bazuar në faktet e provuara dhe në ligj ankimin e Komisionerit Publik dhe të pabazuar ankimin e subjektit të rivlerësimit, për rrjedhojë vendosi

1. Ndryshimin e vendimit nr. 65, datë 13.9.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si më poshtë:

Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Valbona Bala (Pajo). Subjekti i rivlerësimit, znj. Valbona Bala (Pajo), nuk mund të emërohet gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të Rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.  PDF