3.9.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesi i trupit gjykues njoftoi palët në proces se seanca e planifikuar shtyhet në një datë tjetër, në mungesë të një anëtari të trupit gjykues.

Pas konsultës në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 20.9.2019, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF