6.9.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.
Gjatë seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit parashtroi prapësimet e tij lidhur me analizën financiare, të kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rihapjen e pjesshme të hetimit gjyqësor, duke paraqitur edhe prova të reja në proces.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi kryerjen e një analize të plotë të situatës financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2003-2016 dhe administrimin e provave të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.
Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 25.9.2019, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.