18.9.2019
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Regleta Panajoti, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nisur nga dispozitat e nenit 179/b/5 të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës dhe në zbatim të jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt me Komisionin pasi vlerëson se, për rastin konkret, në gjendjen që janë faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Duke ritheksuar se Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, me qëllim që të garantojë mbrojtjen e interesit publik në procesin e rivlerësimit, bazuar në kërkesat e neneve Ç, D, Dh, E dhe F, të aneksit të Kushtetutës, nenit 4 dhe nenit 61, pikat 3 dhe 5, të ligjit nr. 84/2016, kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë:
– Ndryshimin e vendimit nr.169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.