25.9.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Subjekti i rivlerësimit, z. Artur Malaj, nuk ishte i pranishëm në seancë për arsye shëndetësore.

Bashkëshortja e tij i dorëzoi trupit gjykues një raport mjekësor dhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të shtyrë seancën e planifikuar, për shqyrtimin e analizës financiare dhe administrimin e provave të depozituara në funksion të shqyrtimit gjyqësor.

Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në datën 3.10.2019, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF