1.10.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Kryesuesi i seancës njoftoi palët në proces për vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues, për të administruar në cilësinë e provës informacionin e DSIK-së, të dërguar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas depozitimit të ankimit. Subjekti i rivlerësimit, sipas trupit gjykues, do të njihet me përmbajtjen e këtij dokumenti pas procedurës së deklasifikimit.
Seanca më pas vijoi me analizën e vlerës provuese të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Komisioneri Publik parashtroi se aktet nuk provojnë të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke nënvizuar se burimet e ligjshme financiare justifikohen vetëm për huan 6 mijë euro, të huazuar nga e motra e tij.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve, ngriti pretendime mbi përkufizimet e parashikuara në ligjin nr. 84/2016, lidhur me personat e tjerë të lidhur, dhe i kërkoi trupit gjykues të depozitojë në cilësinë e provës edhe dy akte të reja.
Trupi gjykues, pas administrimit të provave të reja, vendosi t’i kërkojë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar deklasifikimin e informacionit të përcjellë pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe, në pritje të kësaj procedure, vendosi zhvillimin e seancës së radhës më datë 16.10.2019, ora 12:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.