3.10.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ramiz Lala, Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij ligjore, nga shqyrtimi i vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, dhe i akteve në dosje të Komisionit, referuar dhe përmbajtjes së një materiali informues/denoncues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në lidhje me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, material i depozituar pranë Komisionerit Publik pas marrjes së vendimit nga ana e Komisionit, vlerëson se provat e administruara nuk janë të mjaftueshme për vlerësimin tërësor të procedurave për subjektin e rivlerësimit, z. Ramiz Lala.

Në të tilla rrethana, Komisioneri Publik vlerëson se vendimi i Komisionit, në tërësinë e tij, ka shkaqe të mjaftueshme ligjore për një hetim të mëtejshëm nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe kërkon që, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë:

– Ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ramiz Lala.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF