16.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha shkaqeve të parashtruara prej tij në ankimin e datës 26.10.2018, në shtesën e ankimit të datës 4.7.2019, si dhe në parashtrimet dhe qëndrimet e mbajtura gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artur Malaj.

Subjekti i rivlerësimit, në parashtrim të konkluzioneve përfundimtare, pretendoi se me kryerjen e analizës financiare për vlerësimin tërësor të pasurisë së tij, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka hetuar përtej ankimit të Komisionerit Publik dhe, në prapësim të të gjitha shkaqeve të këtij ankimi, kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 24.10.2019, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi, shtesa e ankimit dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF