4.12.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeljen e hetimit dhe marrjen e provave të reja lidhur me krijimin e dy pasurive të paluajtshme, që janë referuar edhe në denoncimet nga publiku, të depozituara në Institucionin e Komisionerëve Publikë.
Në detajim të kërkesës për hetim të plotë të shkaqeve të paraqitura në ankim, Komisioneri Publik kërkoi, ndër të tjera, dhe zgjerimin e rrethit të personave, të cilët duhet t’i nënshtrohen statusit ligjor, si persona të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit dhe për njërin prej tyre kërkoi të hetohet edhe për konflikt të mundshëm interesi.
Subjekti i rivlerësimit parashtroi prapësimet e ankimit përmes avokatit të tij, duke kërkuar nga trupi gjykues edhe çeljen e hetimit me qëllim administrimin e provave të reja në funksion të kërkimeve të ankimit të parashtruara nga Komisioneri Publik.
Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 16.12.2019, ora 10.00, me qëllim që provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit t’i njoftohen në rrugë proceduriale Komisionerit Publik, për të pasur mundësinë për t’u shprehur për vlerën e tyre në funksion të hetimit të mëtejshëm të çështjes.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF