16.12.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin për vlerën provuese të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe prapësimet e tij, të parashtruara në seancën e mëparshme.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të kërkojë pranë institucioneve dokumentacionin sipas shkaqeve të ankimit të parashtruara nga Komisioneri Publik, si dhe të lejojë subjektin e rivlerësimit të depozitojë prova të reja në funksion të hetimit.

Seanca e radhës do të mbahet më datë 16.1.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF