16.1.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjatë seancës gjyqësore, trupi gjykues konfirmoi mbërritjen e pjesshme të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet, sipas shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.
Nga ana e tij, Komisioneri Publik, duke theksuar nevojën e zbatimit të nenit 53/5 të ligjit nr. 84/2016, për të drejtat e denoncuesve, me kërkesë të trupit gjykues, parashtroi qëndrimin për denoncimet e depozituara në Institucionin e Komisionerëve Publikë. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, një pjesë e denoncimeve përmbajnë fakte të përfshira në kërkimin e tij, ndërsa për një nga denoncimet e mbërritura pas ankimit, Komisioneri Publik vlerëson se faktet e pretenduara mund të verifikohen pranë institucioneve shtetërore.
Subjekti i rivlerësimit kërkoi të njihet me përmbajtjen e denoncimeve dhe, përmes avokatit të tij, depozitoi prova shtesë për shkaqet e ankimit.
Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 4.2.2020, ora 10.00, për të njohur Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit me dokumentacionin e përcjellë nga institucionet, me kërkesë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.