20.1.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në seancën e sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit shoqërohej nga avokati i tij mbrojtës, pamundësia e pranisë së të cilit u bë shkak për shtyrjen e seancës së mëparshme.
Përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor, subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, paraqiti një kërkesë paraprake për përjashtimin nga trupi gjykues të dy gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pasi u tërhoq për vendim, trupi gjykues, referuar nenit 75/6 të Kodit të Procedurës Civile, njoftoi palët se kërkesa për përjashtim ishte proceduar sipas ligjit dhe kërkoi vijimin e shqyrtimit të çështjes.
Në vijim të kërkesave paraprake, avokati i subjektit të rivlerësimit paraqiti dy kërkesa të tjera, që kishin të bënin me pezullimin e gjykimit dhe mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik. Pasi mori dhe mendimin e Komisionerit Publik, që kërkoi rrëzimin e dy kërkesave paraprake për pezullimin e gjykimit dhe mospranimin e ankimit, trupi gjykues u tërhoq për vendim.
Në kthim, trupi gjykues njoftoi palët se kishte vendosur rrëzimin e kërkesës për pezullimin e gjykimit, ndërsa në lidhje me kërkesën për mospranimin e ankimit do të shprehej në vijim të shqyrtimit gjyqësor dhe në vendimin përfundimtar.
Pasi u deklarua i hapur shqyrtimi gjyqësor, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit. Ndërsa subjekti i rivlerësimit dhe avokati i tij mbrojtës, nëpërmjet prapësimeve të tyre, kundërshtuan shkaqet e ankimit, duke kërkuar në funksion të kërkimit edhe administrimin e disa provave të reja.
Në përfundim të seancës gjyqësore, me qëllim përcjelljen në rrugë formale dhe njohjen e Komisionerit Publik me provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 11.2.2020, ora 10.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF