4.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin për vlerën provuese të akteve të administruara pas çeljes së hetimit gjyqësor nga trupi gjykues dhe të atyre shtesë, që u paraqitën nga subjekti i rivlerësimit në seancën e mëparshme.

Pasi administroi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe dëgjoi subjektin e rivlerësimit, trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë subjektit të rivlerësimit të paraqesë të gjithë dokumentacionin e depozituar pranë organit të qeverisjes vendore, që ka lëshuar lejen e zhvillimit dhe lejen e ndërtimit në Valbonë, Tropojë.

Po ashtu, trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë informacion Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nëse ka të regjistruar ndonjë kallëzim penal në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, si dhe nëse është marrë ndonjë vendim për këtë procedim ose procedime të mëparshme në ngarkim të subjektit të rivlerësimit.

Me qëllim administrimin e akteve të kërkuara nga ana e trupit gjykues, seanca e radhës do të mbahet në datën 25.2.2020, ora 11.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF