6.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova, magjistrat/prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik iu qëndroi shkaqeve të ankimit dhe, me kërkesë të trupit gjykues, referoi denoncimin nga publiku, të depozituar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas ankimit. Komisioneri Publik njohu trupin gjykues me të dhënat e pretenduara në denoncim për një lidhje farefisnore të subjektit të rivlerësimit me dy persona me precedentë penalë.

Subjekti i rivlerësimit, përmes avokatit, parashtroi qëndrimin për shkaqet e ankimit dhe të dhënat e referuara në denoncimin nga publiku, për të cilat deklaroi se nuk qëndronin në kohën kur ai kishte nënshkruar “Deklaratën e kontrollit të figurës”.

Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, në funksion të shqyrtimit të ankimit, vendosi të kërkojë informacione shtesë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me faktet e pretenduara në denoncimin e publikut, të referuara nga Komisioneri Publik.

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 26.2.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. PDF