25.2.2020 

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Anita Jella, me funksion prokurore/Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Nisur nga parashikimi i nenit 179/b, pika 5, të Kushtetutës dhe aneksit të saj, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik, pasi vlerësoi të drejtë dhe ndan të njëjtin qëndrim me rekomandimin e ONM-së, gjetjen dhe opinionin e vëzhguesit ndërkombëtar, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mundësojë trajtimin e këtij ankimi me prioritet në kohë, si dhe në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, dhe në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 221, datë 10.12.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF