26.2.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova, magjistrat/prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në nisje të seancës gjyqësore, trupi gjykues konfirmoi mbërritjen e informacionit të kërkuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me faktet e pretenduara në denoncimin e publikut, të depozituar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas ankimit.

Pasi mori konfirmimin e palëve për njohjen me përmbajtjen e akteve shkresore, kryesuesi i trupit gjykues deklaroi se nuk rezulton asnjë regjistrim penal në ngarkim të shtetasve të referuar në denoncimin nga publiku, si persona në lidhje farefisnore me subjektin e rivlerësimit.

Komisioneri Publik, në opinion e tij lidhur me informacionin e përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u shpreh se subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të seancës së kaluar, krijoi bindjen se nuk kishte dijeni për procedime penale të të afërmve të tij, sikurse konfirmon edhe informacioni zyrtar i përcjellë në Kolegj.

Subjekti i rivlerësimit e cilësoi dashakeqës denoncimin nga publiku, që sipas tij është bërë nga një kolege, në shkelje të kodit të etikës. Ndërsa përmes përfaqësuesit ligjor njoftoi trupin gjykues se kishte bërë pagesën e tatimit të shumës së referuar prej tij, si marrje kapari pas shitjes së pasurisë apartament në Korçë dhe kërkoi depozitimin e saj si provë.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të marrë në cilësinë e provës dokumentin bankar, të referuar nga subjekti i rivlerësimit dhe gjithashtu administroi në cilësinë e provave shkresore informacionet e përcjella nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe ftoi palët për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës, që do të mbahet më datë 3.3.2020, ora 11.30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF