5.3.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, në paraqitje të konkluzioneve përfundimtare, nënvizoi faktin se ankimi i tij u mbështet në fakte dhe rrethana, të cilat iu bën me dije institucioneve të rivlerësimit nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në këtë proces, përmes denoncimeve, dhe për të cilat trupi gjykues pranoi të hetonte gjatë këtij gjykimi. Komisioneri Publik u qëndroi shkaqeve dhe kërkimit përfundimtar të ankimit, duke parashtruar se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte të kundërtën e tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor. Në këto kushte, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit nga ana e tij, edhe nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe, në këtë kuadër, kërkoi nga trupi gjykues të analizojë specifikisht provat lidhur me pasurinë e tij në Tropojë. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi palët në prezantimin e parashtrimeve përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë vendimin, të cilin do ta shpallë më datë 12.3.2020, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF