6.3.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Në çelje të seancës gjyqësore, Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi për depozitimin në Kolegj të akteve të reja, të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Nga ana e tij, Komisioneri Publik, pasi kërkoi të njihet me procedurën e administrimit të akteve të dorëzuara në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit, parashtroi shkaqet e ankimit, duke detajuar edhe provat që duhen të administrohen për nevojat eventuale të hetimit gjyqësor.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të saj, parashtroi prova shtesë për secilin nga shkaqet e ankimit dhe u shpreh dakord me kërkesën e Komisionerit Publik, duke kërkuar çelje të hetimit gjyqësor, në funksion të administrimit të provave të reja.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të lejojë administrimin e provave, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, sipas inventarit të datës 2.3.2020 dhe, në funksion të hetimit të shkaqeve të ankimit, vendosi të kërkojë: administrimin e një dosjeje gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, si dhe informacion pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë së Fierit dhe Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Dibër.

Trupi gjykues, gjithashtu, u vuri në dispozicion palëve në proces, për dijeni, dy denoncime të depozituara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresë të subjektit të rivlerësimit dhe caktoi seancën e radhës më datë 26.3.2020, ora 9:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF