16.6.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Në çelje të seancës gjyqësore, Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi palët për depozitimin, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, të akteve të dërguara nga institucionet, si dhe të disa provave të reja të subjektit të rivlerësimit.

Nga ana e tij, Komisioneri Publik kërkoi kohë për shqyrtimin e dokumentacionit të insitucioneve dhe akteve të reja të subjektit të rivlerësimit, të dërguara nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në Institucionin e Komisionerëve Publikë, më datë 15.6.2020.

Subjekti i rivlerësimit kërkoi, gjithashtu, kohë për shqyrtimin e dokument-përgjigjeve të institucioneve të listuara në kërkesën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Në funksion të shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës të gjitha aktet e sipërcituara dhe, me kërkesë të Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit, për të analizuar provat e reja dhe për t’u shprehur rreth tyre, vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore  për në datën 23.6.2020, ora 11:00.

Trupi gjykues u kërkoi palëve, që në seancën e ardhshme të përgatiten edhe për konkluzionet përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF