25.6.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Regleta Panajoti, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kryesuesi i trupit gjykues, pasi verifikoi praninë e palëve dhe shpalli përbërjen e trupit gjykues, në mungesë të subjektit të rivlerësimit, njoftoi se kjo e fundit, përmes komunikimit elektronik, më datë 24.6.2020, e ka njohur fillimisht trupin gjykues me faktin se po atë ditë ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit dhe, në një komunikim të dytë me trupin gjykues, ka kërkuar shtyrje të seancës.
Pasi parashtroi sa më lart, Kryesuesi i seancës kërkoi të njihet me qëndrimin e Komisionerit Publik mbi vijimin e gjykimit.
Komisioneri Publik, pasi konfirmoi se është njohur me kërkesat e subjektit të rivlerësimit, të cilat i janë njoftuar po në datën 24.6.2020, me shkresën përkatëse të Kolegjit, i kërkoi trupit gjykues vazhdimin e gjykimit, referuar nenit 179/3 të Kodit të Procedurës Civile dhe jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Komisioneri Publik u shpreh se, referuar këtyre rrethanave ligjore dhe faktike, shtyrja e seancës mund të bëhet vetëm për të verifikuar vullnetin e subjektit të rivlerësimit për dorëheqje, sipas nenit G të aneksit të Kushtetutës.
Trupi gjykues u tërhoq për vendim dhe, pas rikthimit në seancë, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë informacion Këshillit të Lartë Gjyqësor për konfirmimin e paraqitjes së kërkesës nga subjekti i rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti, për dorëheqje nga statusi i magjistratit, si dhe t’i kërkohet Këshillit të Lartë Gjyqësor, nëse kërkesa për dorëheqje është shoqëruar me një kërkesë të motivuar për përshpejtimin e efekteve të dorëheqjes së saj, në kuptim të nenit 65, paragrafi 3, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Njëkohësisht, trupi gjykues do të ftojë subjektin e rivlerësimit të dëgjohet personalisht nga Kolegji, në seancë publike, në lidhje me vullnetin e saj për vijimin e procesit të rivlerësimit, në kushtet kur Komisioneri Publik kërkon vazhdimin e gjykimit, dhe për këtë qëllim seanca ndërpritet për të vijuar më datë 10.7.2020, ora: 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF