10.7.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Regleta Panajoti, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kryesuesi i trupit gjykues, pasi verifikoi praninë e palëve, në mungesë të subjektit të rivlerësimit, njoftoi se pranë Kolegjit është depozituar vendimi nr. 239, datë 7.7.2020, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, znj. Regleta Panajoti, si dhe kërkesa e subjektit të rivlerësimit drejtuar Kolegjit, në datën 8.7.2020, për deklarimin e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar.
Kryesuesi i seancës, pasi parashtroi sa më lart, kërkoi të njihet me qëndrimin e Komisionerit Publik mbi vijimin e gjykimit.
Komisioneri Publik konfirmoi se është njohur në rrugë shkresore me aktet e sipërcituara dhe, referuar gjendjes së tyre, deklaroi se vendimi nr. 239, datë 7.7.2020, i Këshillit të Lartë Gjyqësor, është ende i ankimueshëm, bazuar në nenin 192, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Komisioneri Publik çmoi se ende nuk mund të konkludohet në një vendim përfundimtar, edhe për faktin se subjekti i rivlerësimit, në kërkesën e saj, nuk shprehet në lidhje me vullnetin për të pranuar pasojën e ndërprerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, sipas nenit G, të aneksit të Kushtetutës.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimin e Komisionerit Publik, me vendim të ndërmjetëm, vendosi t’i kërkojë Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion nëse ia ka komunikuar subjektit të rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti, vendimin nr. 239, të datës 7.7.2020, dhe në çfarë formë ia ka komunikuar. Në varësi të informacionit të mësipërm, Kolegji do t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Apelit, për t’u informuar nëse është bërë ankim nga subjekti i rivlerësimit ndaj vendimit të KLGJ-së, nr. 239, datë 7.7.2020.
Njëkohësisht, Kolegji vendosi të njoftohet subjekti i rivlerësimit, znj. Regleta Panajoti, të ftohet dhe të dëgjohet lidhur me çështjet e mësipërme, në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 30.7.2020, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.